Rama njofton ndërhyrjen e shtetit në tregun e naftës: Ulje akcize dhe mbështetje për pensionistët

Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se qeveria ka vendosur të ndërhyjë direkt në tregun e karburanteve për të amortizuar rritjen e çmimeve të shkaktuar nga kriza globale. Përmes podkastit “Flasim”, kreu i qeverisë njoftoi uljen e akcizës me rreth 20% dhe rikthimin e Bordit të Transparencës për të parandaluar abuzimet me çmimet në pikat e pakicës. Rama theksoi se të ardhurat shtesë që do të vijnë në arkën e shtetit nga konshumit i naftës do të rialokohen ekskluzivisht për të mbrojtur shtresën e pensionistëve, duke i kthyer ato në mbështetje financiare për këtë kategori.

 

Paralelisht me masat emergjente, po përgatitet një projektligj për rezervat strategjike dhe krijimin e një faktori të ri publik në tregun e naftës për të garantuar ekuilibër dhe transparencë afatgjatë. Sipas kryeministrit, këto lëvizje synojnë të godasin evazionin fiskal dhe kontrabandën, duke vendosur rregulla të rrepta për lëvizjen e karburanteve në vend. Ky plan synon jo vetëm mbrojtjen e konsumatorëve të ligjshëm, por edhe vendosjen e një standardi të ri në kontrollin e tregut, duke i dhënë fund marifeteve me regjimet e tranzitit që dëmtojnë ekonominë kombëtare.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT