“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Beqir Berishës, atdhetarit e intelektualit të shquar nga Tetova. Në emër të Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, i shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta familjes së tij si dhe të gjithë shqiptarëve, për këtë humbje të madhe. Beqir Berisha do të kujtohet me respekt si njeri i qëndresës, i dijes dhe i dinjitetit; si filozof, gazetar, autor dhe i burgosur politik, që jetën e tij e lidhi me lirinë dhe me idealin kombëtar shqiptar”, thuhet në telegramin ngushëllues të kësaj qendre.
Më tej theksohet se me veprën e tij letrare dhe studimore, me qëndresën e tij morale dhe me përkushtimin ndaj fjalës së lirë, Beqir Berisha la një gjurmë të pashlyeshme në kulturën shqiptare. Librat e tij dhe artikujt e shumtë nëpër gazeta, nga aktualiteti kulturor e politik e deri te kujtesa dokumentare e refleksionet filozofike, mbeten dëshmi e një jete të kaluar në shërbim të dijes, identitetit dhe dinjitetit kombëtar e njerëzor.


