Aksioni është zhvilluar në pikën kufitare Tabanoc, ku gjatë një kontrolli të detajuar u zbuluan gjithsej 572.400 vezë të freskëta, të fshehura pas paletave të para me mall të deklaruar rregullisht. Në një dërgesë u gjetën 270.000 vezë, ndërsa në tjetrën 302.400 të tjera – të gjitha pa shënime dhe pa origjinë të deklaruar.
Sipas AUV-së, ekzistonin dyshime serioze se këto produkte do të ri-etiketoheshin dhe do të shiteshin në mënyrë të rreme si prodhim vendas, duke rrezikuar si konsumatorët ashtu edhe konkurrencën e prodhuesve vendorë.
“Falë reagimit të shpejtë, profesional dhe të vendosur, u parandalua një mashtrim i madh dhe një rrezik potencial për konsumatorët”, njoftojnë nga AUV.
Sasia totale prej 40 ton e 410 kilogramë vezë është shpallur e pasigurt dhe është asgjësuar në mënyrë të kontrolluar.
Autoritetet paralajmërojnë masa ndaj subjekteve të përfshira, si dhe kontrolle shtesë për aktivitetin e tyre të deritanishëm.
Nga AUV theksojnë se do të vazhdojnë me kontrolle të shtuara dhe luftë të pakompromis kundër mashtrimeve me ushqim, për të mbrojtur qytetarët dhe prodhimin vendas.


