Njeriu i Trump-it që dha dorëheqje për shkak të Iranit: Personave kyç nuk iu lejua të flisnin

Shtetet e Bashkuara – Joe Kent, ish-drejtori i SHBA-së për luftën kundër terrorizmit, i cili dha dorëheqje këtë javë si shenjë revolte ndaj luftës me Iranin, deklaroi se ai dhe zyrtarë të tjerë të lartë “nuk u lejuan” të shprehnin shqetësimet e tyre para presidentit Donald Trump lidhur me sulmet ajrore amerikane.

 

Në një paraqitje në podkastin e moderatorit konservator Tucker Carlson, Kent tha se Presidenti u mbështet në një rreth të ngushtë këshilltarësh për të marrë vendimin për sulmin ndaj Iranit. Ai pretendoi se Izraeli i bëri presion Trump-it për të ndërmarrë veprime, pavarësisht mungesës së dokumeteve që vërtetonin se Irani përbënte një kërcënim të menjëhershëm për SHBA-në.

“Një numri të konsiderueshëm të vendimmarrësve kyç nuk iu lejua t’i drejtoheshin Presidentit për të shprehur qëndrimet e tyre. Nuk pati asnjë diskutim të vërtetë,” u shpreh Kent.


Mungesa e inteligjencës dhe roli i Tulsi Gabbard

Si kreu i Qendrës Kombëtare Kundër Terrorizmit, Kent udhëhoqi agjencinë përgjegjëse për zbulimin e kërcënimeve. Puna e tij mbikëqyrej nga Drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare, Tulsi Gabbard, e cila të mërkurën deklaroi se i takon vetëm Trump-it të vendosë nëse Irani është kërcënim. Megjithëse Gabbard (veterane dhe ish-kongresmene) kishte kritikuar më parë sulmet ushtarake, ajo nuk ka komentuar operacionet aktuale.

Pikat kryesore të deklaratës së Kent:

  • Asnjë provë bërthamore: Kent pohoi se nuk kishte informacione të zbulimit që tregonin se Irani po zhvillonte armë bërthamore.

  • Provokimi izraelit: Ai beson se Izraeli provokoi veprimin e SHBA-së duke deklaruar se do të vepronte i pari, gjë që do të rrezikonte interesat amerikane në rajon.

  • Lobi dhe propaganda: Sipas tij, zyrtarët izraelitë dhe analistët mediatikë krijuan një narrativë të rreme për kërcënimin iranian.


Akuzat për lobim dhe reagimi i Trump

Kent përmendi emrat e Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, dhe Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, si figura që sugjeruan se planet e Izraelit nxitën SHBA-në të vepronte. Ai shtoi se Kryeministri Benjamin Netanyahu loboi personalisht te Trump, duke prezantuar informacione që shërbimet amerikane nuk mund t’i konfirmonin.

Këto pretendime për “lobin izraelit” kanë nxitur kritika të ashpra nga shoqatat hebraike, të cilat i kanë cilësuar deklaratat e Kentit si antisemite.

Përgjigja e Donald Trump: Presidenti Trump i hodhi poshtë këto pretendime, duke dhënë arsye të ndryshme për sulmet. Ai e quajti Kentin “të dobët në çështjet e sigurisë” dhe deklaroi:

“Nëse dikush në administratën time nuk beson se Irani ishte kërcënim, ne nuk i duam ata njerëz. Ata nuk janë njerëz të zgjuar. Irani ishte një kërcënim gjigant.”

Kent përfundoi duke thënë se dha dorëheqjen sepse nuk mund të ishte pjesë e kësaj rruge “me ndërgjegje të pastër”, duke e konsideruar drejtimin aktual si të gabuar për vendin.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT