Mendi Qyra merr pjesë në “Orën Letrare për Pavarësinë e Kosovës” në Strugë

Strugë – Me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Kryetari i Komunës së Strugës, z. Mendi Qyra, ishte i pranishëm në aktivitetin e organizuar nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Strugë.

 

Gjatë fjalës së tij, Kryetari Qyra vlerësoi rrugëtimin historik të Kosovës, duke theksuar se liria dhe pavarësia janë fryt i sakrificës së dëshmorëve dhe viktimave të pafajshme. Ai e cilësoi Kosovën si një dëshmi të qëndresës dje dhe të evropianizmit sot.

Mirënjohja për kontributin në arsim dhe ekonomi Kryetari nënvizoi rolin e rëndësishëm që Kosova ka luajtur ndër vite, veçanërisht në mbështetjen e arsimit për shqiptarët e rajonit në periudha të vështira. Po ashtu, ai u shpreh optimist për rritjen e shkëmbimeve tregtare mes Republikës së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, duke vlerësuar lehtësimin e procedurave kufitare dhe qarkullimin e lirë të njerëzve dhe kapitaleve.

Në mbyllje të fjalës së tij, z. Qyra përcolli një mesazh shprese duke cituar veprimtarin Arbën Xhaferi: “Perspektiva është gjithmonë aty. 17 Shkurti është perspektiva e Kosovës. 17 Shkurti është edhe perspektiva jonë.”

Aktiviteti përfundoi me urime për përvjetorin e madh të shtetësisë së Kosovës, duke konfirmuar lidhjet e forta vëllazërore dhe institucionale.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT