STRUGË – Komuna e Strugës ka mirëpritur sot nxënësit e klasave të IX-ta nga SHFK “Vëllezërit Miladinovci”, të cilët ndjekin mësimin në gjuhën maqedone dhe turke. Vizita u realizua në kuadër të lëndës “Hulumtimi i vendlindjes”, duke u ofruar të rinjve një mundësi praktike për t’u njohur me institucionin e tyre lokal.
Nxënësit u pritën në një takim të drejtpërdrejtë nga kryetari i komunës, Mendi Qyra, i cili i njohu ata me detyrat, përgjegjësitë dhe rëndësinë e drejtimit të pushtetit lokal. Gjatë bashkëbisedimit, kryetari Qyra theksoi se institucioni që ai drejton është gjithmonë i hapur për kërkesat, idetë dhe sugjerimet e të rinjve.
Vizita vazhdoi në sallën e Këshillit Komunal, ku nxënësit u informuan hollësisht mbi:
-
Funksionimin e Këshillit dhe procesin e vendimmarrjes.
-
Kompetencat e komunës në shërbim të jetës së qytetarëve.
-
Rëndësinë e kontributit të secilit individ për komunitetin.
Ky aktivitet shërbeu si një urë lidhëse mes institucionit dhe gjeneratave të reja, duke i inkurajuar ata që të kuptojnë më mirë rolin e qeverisjes lokale dhe rëndësinë e angazhimit qytetar.


