LSDM reagoi pas publikimit të djeshëm të ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, i cili iku nga vendi dhe aktualisht jeton në Budapest. Partia publikoi një sërë fjalësh ironike ndaj ish-kryeministrit, duke e quajtur “shkrimtar përrallash nga Budapesti” dhe duke e akuzuar se “e zhytën vendin në errësirë dhe e lanë në dëshpërim”. Ata theksuan se kryeministri Hristijan Mickoski është vetëm një zbatues i tij dhe vazhdon të njëjtat politika.
“Sot, ai ‘gjeniu’ i akomoduar rehat në zemër të Bashkimit Evropian – pikërisht atje ku kurrë nuk deshi ta çonte Maqedoninë. Si arrin të marrë frymë ajër evropian pa u mbytur nga ironia? Ky njeri i vogël moral (edhe pse doli të ketë madhësinë ideale për t’u futur në bagazh kur ikte nga kufiri), tani jep ‘mençuri’ pasi iku nga drejtësia.
Njeriu që përgjonte 20.000 qytetarë, arrestonte, blinte një Mercedes prej 650.000 eurosh (me para të popullit, sigurisht) dhe syze dielli prej 30.000 eurosh (që ta shihte më qartë korrupsionin e vet). Njeriu që nxori 2 miliardë euro nga shteti (e tani thotë se nuk ishte i sigurt nëse ishin 2 apo 7 miliardë – shumë para për t’i numëruar), ndoshta për të financuar ëndrrën e tij të azilit.
Ky është po ai Gruevski, rrethi i ngushtë i të cilit përbëhej nga një ministre e Brendshme që voziste veturë të vjedhur – as më pak e as më shumë se të David Beckham (klasike!), ministra që merrnin me qira kate të tëra në hotele luksoze dhe që merreshin me kriminalitet.
‘Hero’? Kurrsesi. Më shumë i ngjan Mickey Mouse-it, një personazh i Disney-t që mban ligjërata për të tjerët”, thuhet nga selia e LSDzm-së në “Bihaçka”.
Sipas LSDM-së, në vend që Gruevski të ishte “në Idrizovë duke shkruar memoare me titull ‘Si e grabita Maqedoninë’ (që do të ishte bestseller), ai nga luksi i Budapestit prodhon ‘Përralla budapestiane për fëmijë’, tregime të trilluar nga mërzia e pastër”.
“Komplekset e tij ‘burrërore’ dhe krizën e moshës së mesme i shëron me bojë flokësh, filera dhe botoks – si një yll televiziv i një telenovele në krizë. Ky është Nikola – ‘beauty influencer’-i dhe trendsetteri ynë!
Pavarësisht se merret me shkrimin aktiv të përrallave dhe prozës, ai arrin – si dikur – të jetë kudo. Madje edhe të udhëheqë partinë e tij nga larg. Merr pjesë aktivisht në fushatën e VMRO-DPMNE-së, duke sulmuar njerëzit me ‘përralla të Dubait për fëmijë’, kundër atyre që sollën lirinë për Maqedoninë.
Dhe e ka lënë ‘Mickon e vogël’ (tani i rritur, vitet kaluan) që të vazhdojë ‘rrugën e tij të lavdishme’. Pse të bëjë vetë punën e ndyrë, kur dikush tjetër mund ta bëjë për të – dhe atë nga distanca?
Nikola, Grujo ynë i zi, bëhu të paktën një herë burrë në jetë dhe eja në Shkup. Do të të bëjmë një pritje të bukur. Do të ketë shumë njerëz, sirena, protokoll, pranga – gjithçka në nivelin më të lartë, ashtu siç të pëlqen. A guxon? Apo ndoshta je mësuar me gulaçin hungarez dhe nuk të pëlqen më tavça-gravçja maqedonase?” – përfundon reagimi i plotë i LSDM-së.
Në publikimin e fundit në Facebook nga Budapesti, Gruevski i sulmoi ish-kryetarin dhe kryetarin aktual të LSDzm-së, Zoran Zaev dhe Venko Filipçe.


