Kur historia flet: Ahmeti përkujton revolucionarin Dellçev

Në përvjetorin e rënies së Goce Dellçevit, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka ndarë një mesazh ku lartëson figurën e revolucionarit si një model vizioni dhe maturie. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ahmeti ka zgjedhur të publikojë një fotografi të hershme të Dellçevit me plis, duke vënë theksin te trashëgimia e tij universale në një kohë kur figura e tij mbetet epiqendër e debateve të nxehta identitare mes Shkupit dhe Sofjes.

 

Sipas Ahmetit, parimet e Dellçevit për bashkëpunim kulturor mes popujve duhet të shërbejnë si një udhërrëfyes i domosdoshëm për politikëbërjen aktuale në rajon.

Statusi i plotë i Ali Ahmetit:

“Si sot më katër maj të vitit 1903 është shuar Goce Dellçevi, revolucionar i njohur, jeta dhe vepra e të cilit do të duhej të ishte mësim edhe për klasën e sotme politike: “Unë e kuptoj botën si një garë të kulturuar mes popujve” – ishte deviza e tij.

Ndërkaq, biografi i tij më i mirë, Pejo Javorov, duke sjellë foton e mëposhtme të Goces, me plisin e bardhë, e jep këtë përshkrim:

“Plisi i bardhë arnaut me shall të zi, i mbështjellë përreth, e mbulonte jo aq shumë kokën. Palltoja e përhimtë prej shajaku, tyrqet e përhimta prej shajaku dhe çashiret me ngjyrë arre të përveshura deri në gjunjë në opingat e shtrënguara – i shquante format e drejta të një figure mesatare. Qepeja e përhimtë e mbyllur, e veshur vetëm në krahun e majtë, gjysmë e ngjeshur dhe e tërhequr deri në gjysmë në të djathtë, i jepte veçmas bukuri hyjnore gjithë shfaqjes së krenarisë. Me kamë, revolver dhe brezoren me fishekë në bel, me maliherin e hedhur mbi sup, Gocja i ngjante një perëndie kaçake”.

I përjetshëm kujtimi për Revolucionarin Goce Dellçev!”

TË NDRYSHME

TË FUNDIT