Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar listën votuese për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Kosovës, që do të mbahen më 28 dhjetor 2025. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, njoftoi se numri total i shtetasve me të drejtë vote është 2,076,290.
Sipas të dhënave zyrtare, 1,999,205 votues janë të regjistruar në qendrat e votimit brenda Kosovës, ndërsa 77,085 qytetarë janë regjistruar për votimin jashtë vendit. Lista rezulton me 7,192 votues më shumë krahasuar me zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025.
Procesi në vend do të zhvillohet në 948 qendra votimi me gjithsej 2,614 vendvotime. Nga këto, 910 qendra me 2,557 vendvotime janë për votimin e rregullt, ndërsa 38 qendra me 57 vendvotime janë të dedikuara për votimin me kusht.


