Njëri nga liderët e VLEN, Bilall Kasami në intervistën për Alsat-M ka thënë se shqyrtohet si një nga opsionet që VLEN më 9 maj, Ditën e Evropës ta mbajë Kongresin e parë.
“Besoj në bazë të dakordimit është bërë grupi I punës ku do të bisedohet për platformën, programin, statutin dhe gjithë atë që do të jetë VLEN si një subjekt. Është prilli, maji si opsion I Kongresit të parë të VLEN-it, pra një nga opsionet është 9 Maji, Dita e Evropës që të mbahet Kongresi I parë”, ka thënë Kasami, duke shtuar se fokusi është Evropa dhe do mbetet e tillë, jo vetëm e VLEN-it, por edhe VMRO-së dhe partive tjera.
Lidhur me rikonstruimin e qeverisë, Kasami tha se atë që e ka thënë kryeministri në vazhdimësi, është një marrëveshje mes VMRO, VLEN dhe ZNAM dhe sigurisht do të jetë I bazuar në një marrëveshje të re se cilat dikastere do të zëvendësohen.
“Që do të thotë se propozimet e ministrave se kush do të përfshihet do ta bëjnë përsëri subjektet dhe koalicionet që kanë propozuar ato ministra. Në rikonstruim do të kërkojmë disa ndryshime”, ka thënë Kasami.
Sipas tij, është e mundur edhe ndryshimi I dikastereve edhe brenda VLEN edhe me partitë tjera.
“Jemi të hapur edhe për këto biseda”, ka thënë Kasami.


