Kodra e Diellit me mbeturina – “Saubermacher” në gjumë, komuna e Tetovës ia “kreh” veshin

Pamja e parë që i pret vizitorët në Kodrën e Diellit edhe këtë sezon dimëror nuk është bora apo pistat e skijimit, por grumbuj mbeturinash në hyrje të qendrës turistike. Qytetarë dhe turistë ankohen se kjo gjendje përsëritet çdo vit, pa përmirësime konkrete, ndërsa institucionet si zakonisht arsyetohen, shkruan Portalb.mk.

 

Mes premtimeve për zhvillim turistik dhe realitetit në terren, Kodra e Diellit vazhdon të përballet me kaos, menaxhim joefikas dhe neglizhencë institucionale.

Me fillimin e sezonit të skijimit, filloi edhe problemi i kamotshëm i mbeturinave. Përsëri në hyrje të qendrës turistike u krijua një ‘deponi’ plehrash.

Qytetarëve kjo pamje u ka shkaktuar revoltë, për çka ata ankohen.

“Katastrofë, japin premtime të mëdha kurse nuk janë në gjendje mbeturinat t’i pastrojmë, nuk mund të presim diçka më shumë”, tha një qytetar.

“Kjo gjendje është çdo vit, nuk ndryshon diçka”, tha një qytetare.

“Edhe këtë vit është kaos, rrugët në hall, s’ka parkingje, mbeturinat nuk grumbullohen rregullisht”, tha një qytetar.

Këshilltari komunal nga AKI-ja, Berat Murati thekson se gjendja me mbeturinat në Kodrën e Diellit është alarmante dhe e papranueshme për një qendër turistike që duhet të jetë krenari e vendit.

“ Mungesa e menaxhimit të rregullt, mosvendosja e mjaftueshme e kontejnerëve dhe neglizhenca institucionale po e dëmtojnë rëndë mjedisin dhe imazhin e kësaj zone. Kërkojmë veprime të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse: pastrim urgjent, plan të qëndrueshëm për menaxhimin e mbeturinave dhe përgjegjësi konkrete. Kodra e Diellit meriton kujdes, jo harresë”, tha Murati.

Komuna e Tetovës thekson se pastrimi i mbeturinave është përgjegjësi e ndërmarrjes ‘Saubermacher’.

“Është përgjegjësi e kompanisë mirëmbajtja e mbeturinave. Ne dje kemi kontaktuar me kompaninë dhe kemi kërkuar që të reagohet në Kodrën e Diellit, pra të bëhet pastrimi i hapësirës në hyrje të Kodrës së Diellit”, tha Albion Alili, zëdhënës i komunës.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT