Qeveria italiane ka vendosur të ulë përkohësisht akcizën mbi naftën dhe benzinën, duke reduktuar çmimin me rreth 20 cent për litër për një periudhë prej 20 ditësh. Kjo masë synon të lehtësojë barrën e qytetarëve në një kohë kur çmimet e karburantit kanë kaluar 2,1 euro për litër në disa zona të vendit.
Ekzekutivi i kryeministres Giorgia Meloni ka paralajmëruar gjithashtu kontrolle më të rrepta ndaj kompanive të tregtimit të karburanteve për të shmangur abuzimet me çmimet. Përveç kësaj, janë planifikuar 608 milionë euro në përjashtime tatimore për sektorin e transportit, me qëllim mbështetjen e bizneseve të vogla dhe kompanive që përdorin naftë.
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Transportit, Matteo Salvini, ka theksuar se është e domosdoshme që çmimi i naftës të rikthehet nën 1,90 euro për litër.


