Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar ka konfirmuar se ish-drejtuesi i Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) në Shqipëri, Altin Dumani, do të angazhohet në Kosovë.
Sipas njoftimit zyrtar, një ekip i Ambasadës Britanike është takuar sot me Dumanin, i cili ndodhet në Kosovë me qëllim shkëmbimin e njohurive dhe përvojës profesionale me institucionet e drejtësisë dhe zbatimit të ligjit.
Ambasada theksoi se ky bashkëpunim synon forcimin e sundimit të ligjit dhe avancimin e bashkëpunimit rajonal përmes projekteve të mbështetura nga Mbretëria e Bashkuar.
“Jemi të kënaqur që ekipi ynë u takua sot me Altin Dumanin për të diskutuar lehtësimin, në të ardhmen e afërt, të shkëmbimit të njohurive, ekspertizës dhe përvojës profesionale me institucionet e zbatimit të ligjit në Kosovë. Ky angazhim nënvizon rëndësinë e bashkëpunimit praktik dhe rajonal në forcimin e sundimit të ligjit,” thuhet në deklaratën e ambasadës.
Altin Dumani ka udhëhequr SPAK-un për tre vjet, periudhë gjatë së cilës institucioni ka realizuar hetime dhe operacione që çuan në arrestimin e zyrtarëve të lartë shtetërorë në Shqipëri. Mandati i tij përfundoi pas zgjedhjes së Klodjan Brahës në krye të SPAK-ut.


