Zëdhënësi i VLEN-it, Albrim Hoxha në intervistën për MCN TV ka thënë ish zëvendëskryeministri Artan Grubi ka qenë simbol i keqqeverisjes së BDI-së në këto 10 vitet e fundit, sa ai ka qenë në pozita të larta të partisë.
“Kjo do të varet nga vetë z. Grubi. Arsyeja pse dorëzimi i tij nuk është vetëm lajm i ditës, por është një moment që nxjerr në pah një të vërtetë për një qeverisje të tërë. Ai ka qenë simbol i qeverisjes së keqe të BDI-së për të paktën në 10 vitet e fundit sa ai ka qenë në pozita të larta partiake”, ka thënë Hoxha.
Sipas tij, mbetet të shihet nëse ai do të mbajë përgjegjësi për veten, apo do të flasë edhe për të tjerët.
“Tani për tani mbetet të shihet një gjë e tillë se a do të mbajë përgjegjësi për veten, apo do të flasë edhe për ata që kanë urdhëruar apo mbrojtur apo edhe për ata të cilët kanë përfituar bashkë. Gjithmonë nëse verifikohet nga drejtësia”, ka thënë mes tjerash zëvendësministri Hoxha.


