Historike: Përparim Avdili nga Llojani kandidat kryesor për të udhëhequr Zürichun

ZÜRICH – Më 8 mars, qyteti i Zürichut pritet të hyjë në një epokë të re politike. Pas 17 vitesh nën drejtimin e njëjtë, metropoli zviceran do të zgjedhë kryetarin e ri, ku në garën e ngushtë për herë të parë figuron një emër me origjinë shqiptare: Përparim Avdili.

 

Sipas raportimeve të gazetarit Enver Robelli, kjo garë shihet si një moment historik jo vetëm për qytetin, por edhe për komunitetin shqiptar që jeton atje. Avdili, i cili e ka origjinën nga fshati Llojan i Likovës, garon nën logon e Partisë Liberale (FDP).

Sfida për buxhetin prej 11 miliardë frangash

Gara për kreun e Zürichut është tejet prestigjioze, duke pasur parasysh se qeveria komunale menaxhon një buxhet gjigant prej rreth 11 miliardë frangash zvicerane. Sipas anketave, rivali kryesor i Avdilit është Raphael Golta nga Partia Socialdemokrate, i cili aktualisht konsiderohet si favoriti i garës. Kandidatët e tjerë në garë vlerësohen se kanë pak shanse për të fituar.

Pesha e votës shqiptare

Në Zürich llogaritet se jetojnë rreth 15 mijë deri në 20 mijë banorë me origjinë shqiptare. Një pjesë e madhe e tyre posedojnë shtetësi zvicerane dhe kanë të drejtë vote, gjë që i bën ata një faktor vendimtar në këto zgjedhje.

Kjo kandidaturë shihet si një dëshmi e fuqishme e integrimit të shqiptarëve në majat e politikës dhe ekonomisë zvicerane. Vendimi përfundimtar do të merret nga qytetarët më 8 mars, datë kjo që mund të shënojë shqiptarin e parë në krye të qytetit më të rëndësishëm ekonomik të Zvicrës.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT