Shkup – Shek Hallaqi, i burgosur për ngjarjet e vitit 2015 në Lagjen e Trimave në Kumanovë, ka reaguar ashpër ndaj thirrjes së liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, për protestë në Shkup në mbështetje të drejtuesve shqiptarë të gjykuar në Hagë.
Në një deklaratë të publikuar nga burgu i Shkupit, Hallaqi e quan thirrjen e Ahmetit “fyerjen më të madhe që mund t’u bëhet shqiptarëve”, duke theksuar se mbështetja për të akuzuarit në Hagë është e drejtë, por jo kur ajo vjen nga një figurë politike që, sipas tij, ka heshtur për dy dekada përballë montimeve ndaj shqiptarëve.
“Unë nuk jam kundër protestës. Udhëheqësit tanë në Hagë meritojnë zërin, mbështetjen dhe drejtësinë e popullit. Por nuk pranoj që kauza e tyre të përdhunohet nga njeriu që për 20 vite u akuzua se ka heshtur, lejuar dhe bashkëpunuar me regjimet që montuan dhjetëra raste kundër shqiptarëve,” shkruan Hallaqi.
Ai përmend disa nga rastet e montuara sipas tij gjatë periudhës pas konfliktit të 2001-it – si Gazi Baba, Sopot, Brodec, Monstra, Alfa, Lagja e Trimave, si dhe vrasjet e figurave të ndryshme shqiptare – duke e akuzuar Ahmetin se ka qëndruar pasiv ndërsa “policia dhe gjyqësia e partnerëve të tij politikë montonin raste me vite të tëra”.
“Ku ishte Ali Ahmeti kur shqiptarët torturoheshin e dënoheshin pa prova?” shkruan Hallaqi. “Tani del e bën thirrje për protestë?! Jo për drejtësi, por për të shpëtuar imazhin e tij, në momentin kur populli po ia thyen mitin me fakte.”
Në fund, Hallaqi thekson se ai mbështet çdo protestë në mbrojtje të drejtësisë për të akuzuarit në Hagë, “por jo atë të udhëhequr nga ai që për dy dekada e la drejtësinë e shqiptarëve të vdiste”.


