Aleanca ushtarake midis Zagrebit, Prishtinës dhe Tiranës është e drejtuar drejtpërdrejt kundër Serbisë, e cilës në një moment të caktuar mund t’i bashkohet edhe Bullgaria me aspiratat dhe ambiciet e saj ndaj Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë juglindore, varësisht se kush është në pushtet në Bullgarisë, deklaroi Vladimir Gjukanoviq, anëtar i kryesisë së Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet.
“Në bazë të gjithë asaj që është parashikuar dhe që tashmë shihet qartë nga sjellja e fqinjëve tanë, në një moment të caktuar do të shpërthejë një konflikt në Ballkan”, shtoi ai.
Në një tekst autorial për gazetën zyrtare serbe “Politika”, pjesë të së cilës i transmeton “Danas”, ai shkroi se gjithçka rreth të ashtuquajturës “aleancë ushtarake” është “e pastër si drita”.
“Kur të përfundojë konflikti i hapur ushtarak mes Rusisë dhe Bashkimit Evropian – dhe është plotësisht e qartë se një konflikt i tillë do të përfundojë në mënyrë të pashmangshme – atëherë Serbia do të sulmohet nga kjo aleancë dhe lufta do të jetë e pashmangshme”, ka shkruar Gjukanoviq.
“Prandaj, parimi i Vuçiçit për t’u armatosur deri në dhëmbë dhe për të investuar shumë në modernizimin e ushtrisë është domosdoshmëri jona jetike”, shkroi ai, duke saktësuar se “nuk ka ndërmend të frikësojë askënd me këtë tekst, por thjesht nuk dëshiron t’i ikë realitetit”.
“Dorezat janë hequr, ndërsa shansi ynë për të ruajtur paqen matet me atë se sa jemi të përgatitur për një konflikt serioz. Sa më të përgatitur të jemi, aq më i madh është shansi për të zmbrapsur çdo agresor potencial nga sulmi”, konsideron Gjukanoviq.
Kujtojmë se Kroacia, Shqipëria dhe Kosova nënshkruan një deklaratë për bashkëpunim në mbrojtje më 18 mars 2025 në Tiranë. Siç u tha atëherë, nuk bëhet fjalë për një aleancë ushtarake, por për një bashkëpunim trilateral në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë mes tre vendeve. Ajo u nënshkrua nga ministrat e mbrojtjes të tre vendeve në një takim në Tiranë.
Dokumenti parashikon forcimin e kapaciteteve mbrojtëse me qëllim përmirësimin e kapaciteteve ushtarake të secilit vend përmes bashkëpunimit dhe koordinimit, krijimin e kushteve për një përgjigje më efektive ndaj kërcënimeve për sigurinë kombëtare dhe rajonale, si dhe zhvillimin e industrisë së mbrojtjes dhe teknologjive të përbashkëta.
Deklarata parashikon ushtrime të përbashkëta ushtarake, shkëmbim përvojash, trajnim dhe edukim të personelit, rritje të ndërveprueshmërisë së forcave të armatosura, si dhe bashkëpunim lidhur me kërcënimet hibride. Të tre vendet shkëmbejnë informacione për sulmet kibernetike, dezinformatat dhe kërcënimet e tjera që mund të ndikojnë në siguri, si dhe koordinojnë veprimet në situata që nuk janë drejtpërdrejt ushtarake, por ndikojnë në stabilitet.
Deklarata shpreh përkushtimin e përbashkët për integrim më të ngushtë në institucionet euroatlantike, përfshirë NATO-n, dhe mbështetje për pjesëmarrjen e Kosovës në programe të tilla si Partneriteti për Paqe, gjë që do të forconte marrëdhëniet e saj me Aleancën.


