Gjermanisë aktualisht i mungojnë të paktën 120,000 shoferë kamionësh, dhe shumë kompani transporti po i anulojnë gjithnjë e më shumë dërgesat sepse nuk kanë mjaftueshëm shoferë, deklaroi për mediat Dirk Engelhardt, zëdhënës i Shoqatës Federale të Transportit Rrugor.
Shumë transportues nuk marrin më pjesë në tendera sepse të ardhurat nga transporti i pritshëm i mallrave nuk do të mbulonin kostot, të cilat, siç shpjegon Engelhardt, janë rritur mbi mesataren për shkak të mungesës së shoferëve.
Ky fenomen tashmë ka pasoja të dukshme: raftet e zbrazëta që shihen shpesh nëpër dyqane nuk janë vetëm rezultat i pamundësisë së rrjeteve të supermarketeve dhe furnitorëve për t’u marrë vesh për çmimin, por edhe i mungesës së shoferëve të kamionëve që transportojnë mallrat.
Sipas “Spiegel”, në Gjermani 80 për qind e mallrave transportohen përmes rrugëve tokësore.
Shoqata e transportuesve rrugorë nuk pret që kjo krizë të zbutet nga të ashtuquajturat mjete autonome që lëvizin me ndihmën e sensorëve, kamerave dhe inteligjencës artificiale, pa shofer pas timonit.
Shoferët e kamionëve ndoshta do të mbeten të pazëvendësueshëm sepse ata njëkohësisht luajnë rolin e shoqëruesit dhe rojanit të mallit që u është besuar, shkruan gazeta.
“Ata janë përgjegjës për dorëzimin e ngarkesës te marrësi, si dhe për transportin e sigurt të tij,” tha Engelhardt, prandaj në një të ardhme të parashikueshme, shoferët e kamionëve do të mbeten zgjidhja e vetme në rast të situatave të paparashikuara.


