Franca ka bllokuar mbylljen e dy kapitujve në negociatat e anëtarësimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian, ndërsa pritet që Podgorica të mbyllë tre kapituj javën e ardhshme, konfirmojnë burime diplomatike pas takimit të përfaqësuesve të përhershëm të vendeve anëtare të BE-së në Bruksel.
Sipas burimeve të TVCG, Mali i Zi pritet të mbyllë kapitujt: e drejta për themelimin e kompanive dhe lirinë e ofrimit të shërbimeve (3), lëvizjen e lirë të kapitalit (4) dhe të drejtën tregtare (6). Konferenca ndërqeveritare është planifikuar për datën 16 dhjetor, para mbledhjes së Këshillit të Ministrave për Çështje të Përgjithshme të BE-së.
Franca ka kundërshtuar mbylljen e kapitujve për bujqësi dhe zhvillim rural (11) si dhe peshkim (13), të cilët për këtë arsye mbeten të hapur pas rundit të fundit të konsultimeve.
Burime diplomatike theksojnë se përfaqësuesit e përhershëm të vendeve anëtare do të takohen sërish gjatë fundjavës, gjë që mund të ofrojë një mundësi shtesë për diskutimin e mbylljes së mundshme të disa kapitujve të tjerë para konferencës ndërqeveritare.
Mali i Zi i ka nisur zyrtarisht negociatat e anëtarësimit më 29 qershor 2012, pasi kishte marrë statusin e vendit kandidat në vitin 2010. Deri më tani, Podgorica ka hapur të gjitha kapitujt negociues dhe ka mbyllur përkohësisht disa prej tyre, duke ruajtur statusin e vendit më të avancuar të Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimit evropian.


