Faleminderit Kamer Qaka!

Mesfushori kosovar nuk do të jetë më pjesë e kuqezinjve. KF Shkëndija shpreh mirënjohje për kontributin dhe profesionalizmin e treguar në fanellën kuqezi me të cilën numëron 2 tituj kampion. 

 

KF Shkëndija njofton ndërprerjen e bashkëpunimit me mesfushorin kosovar Kamer Qaka, me marrëveshje të përbashkët mes palëve. Vendimi për ndarjen vjen në mirëkuptim të plotë, duke i hapur rrugë futbollistit që të kërkojë një ambient ku do të ketë më shumë hapësirë për aktivizim të vazhdueshëm në vazhdim të karrierës së tij.

Kamer Qaka ishte pjesë e rëndësishme e KF Shkëndija në dy periudha të ndryshme. Ai fillimisht u bashkua me klubin në janar të vitit 2021, duke kontribuar deri në janar 2022, ndërsa rikthimi i tij u realizua në janar 2023, me kontratë që mbyllet pas tre viteve bashkëpunim. Gjatë këtyre viteve, mesfushori dha kontributin e tij në arritjen e objektivave të klubit, duke qenë pjesë e skuadrës që fitoi tituj kampionë në vitin 2021 dhe 2025.

KF Shkëndija e falënderon Kamer Qakën për angazhimin, profesionalizmin dhe korrektësinë e treguar gjatë kohës që ishte pjesë e klubit, duke i uruar shumë suksese në vazhdim të karrierës së tij profesionale.

Dyert e klubit mbeten gjithmonë të hapura dhe Kamer Qaka do të jetë gjithmonë i mirëpritur si mik i KF Shkëndija.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT