TETOVË – Pallati i Kulturës në Tetovë ishte mbrëmë qendra e festës së trashëgimisë kombëtare, ku u mbajt koncerti madhështor “Dita e Plisit”, i organizuar nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore Shqiptare në RMV.
Në këtë aktivitet mori pjesë edhe zëvendësministri i Kulturës dhe Turizmit, Sedat Sulejmani, i cili përmes një njoftimi vlerësoi lart performancën dhe konsolidimin e këtij institucioni. Sipas tij, ky ansambël ka kaluar një periudhë të vështirë dhe ka qenë buzë shuarjes, por përmes angazhimit institucional është arritur ringjallja dhe kompletimi i ekipit.
“Një ekip që ishte drejt shuarjes, të përbuzur dhe pa vendime pune e të harruar totalisht. Luftuam, u sfiduam, duruam dhe IA DOLËM. Ansamblin e rikthyem, e ringjallëm, po kompletohet ekipi dhe sonte dëshmuan se ky mund i joni ia vlejti,” ka deklaruar Sulejmani.
Ai shtoi se publiku tetovar pati mundësinë të ndjekë një program artistik të veçantë, duke konfirmuar se Ministria e Kulturës do të vazhdojë mbështetjen për projektet që ruajnë dhe promovojnë vlerat kombëtare shqiptare. Puna e ansamblit pritet të vijojë me koncerte të tjera në qytete të ndryshme, duke sjellë emocione të reja për qytetarët.


