Qendërmbrojtësi i Sunderlandit, Dan Ballard, ka lavdëruar ndikimin e madh të kapiteni Granit Xhaka në skuadër, duke thënë se transferimi i mesfushorit zviceran ka rritur ndjeshëm standardet dhe mentalitetin fitues të ekipit në Premier League.
Xhaka, 33-vjeçar, iu bashkua Sunderlandit verën e kaluar nga Bayer Leverkuseni për një shumë rreth 17 milionë paund dhe shpejt u bë kapiteni i ekipit të sapongjitur në elitën angleze përmes play-offit. Ai ka qenë titullar i padiskutueshëm, me 1 gol dhe 4 asistime në 16 ndeshje deri më tani në sezonin 2025/26.
Sunderlandi po bën një sezon impresionues pas kthimit në Premier League, duke zënë vendin e 8-të me 7 fitore dhe vetëm 4 humbje nga 16 ndeshje. Ekipi kohët e fundit fitoi derbin e ashpër ndaj Newcastle United me rezultat 1:0.
Ballard, i cili ishte në akademinë e Arsenalit gjatë kohës kur Xhaka luante te ekipi i parë i “Gunners”, pranoi se fillimisht ishte i befasuar me transferimin.
“Isha pak i habitur kur ai erdhi te ne. Nuk isha i sigurt se si do të funksiononte. Por nuk e kam imagjinuar kurrë se një lojtar i vetëm mund të ketë kaq ndikim në skuadër. Që nga dita e parë, standardet u ngritën sepse ai bën çdo gjë me 100%. Është si të thuash: ‘Nëse ai, me një karrierë kaq të shkëlqyer, ende jep maksimumin në çdo detaj, pse të mos e bëjmë edhe ne?’ Kjo ka motivuar të gjithë ekipin”, tha Ballard për BBC.
26-vjeçari shtoi se ndikimi i Xhakës shihet kudo, nga palestra deri te stërvitjet në fushë.
“Nga puna në palestër deri te seancat stërvitore – edhe kur është ftohtë dhe me shi, ai është plotësisht i fokusuar dhe jep maksimumin. Nëse dikush nga ne nuk bën të njëjtën, duke parë atë që ka fituar tituj dhe ka luajtur qindra ndeshje në Premier League, kjo bëhet e papranueshme. Ai na ka ngritur të gjithëve në një nivel tjetër”, përfundoi Ballard.
Me udhëheqjen e Xhakës dhe trajnerit Régis Le Bris, Sunderlandi po sfidon pritshmëritë si ekip i sapongjitur, duke u pozicionuar vetëm dy pikë larg zonës së Europa League.


