Celulari, rrjetet sociale dhe fenomeni TikTok

Shkruan Avni Osmani
Kohëve të fundit teknologjia ka përparuar me ritme të shpejta. Interneti, posta elektronike, telefoni, navigatori dhe pajisje të tjera e kanë lehtësuar ndjeshëm punën dhe jetën e njeriut. Platformat si Google, YouTube, Wikipedia dhe së fundmi ChatGPT paraqesin mjetet më të fuqishme për përçimin e informacionit dhe ngjarjeve të çdo kohe.

 

Celulari, kjo “kuti magjike” që secili prej nesh e mban në xhep, duket sikur ka tërë botën brenda. I madh e i vogël, sapo hap sytë në mëngjes, e fillon ditën me telefon në dorë. Informacionet, skandalet, lajmet nga showbizi, lojërat dhe shumë përmbajtje të tjera na mbajnë të ngulitur para ekranit, shpesh me sy të zgurdulluar dhe shpinë të shtrembëruar.

Shfaqja e Rrjeteve Sociale

Që nga viti 2008 e këndej, hapja e platformave të reja online solli mënyra të reja komunikimi. Dikur përdornim chat-e të thjeshta si mIRC apo AlbaniaChat. Më vonë erdhën gjigantët:

Facebook

Instagram

Twitter

Snapchat

dhe së fundmi TikTok

Facebook

Facebook bashkoi lajme, postime, njoftime dhe komunikim përmes Messenger. Aty njerëzit ribashkoheshin pas 15–20 vitesh, gjenin shokë klase dhe krijonin lidhje të reja shoqërore.

Instagram

Instagrami solli një formë tjetër komunikimi, të bazuar në fotografi dhe estetikë, duke e ngritur imazhin në nivel kryesor të prezantimit personal.

Snapchat

Snapchati u popullarizua sidomos te gjeneratat e reja për shkak të filtrave, emoji-ve dhe elementeve të animuara që ushqejnë imagjinatën e fëmijëve.

Fenomeni TikTok

Rreth vitit 2018 u shfaq TikTok-u, fillimisht si platformë muzikore Musical. Më vonë u shndërrua në një rrjet social të plotë ku mund të bësh “live”, të postosh video të ndryshme dhe të luash lojëra me sfida e dënime.

Brenda një kohe rekord, TikTok arriti miliona përdorues nga e gjithë bota. Disa shtete madje e bojkotuan për arsye sigurie ose për shkak të ndikimit tek të rinjtë.

Shumë njerëz hapën profile dhe, sapo arrinin 1000 ndjekës, hynin menjëherë “live” për të marrë dhurata, lule apo “gifts”, të cilat konvertohen në para. Ata që arrinin 10K e më shumë ndjekës, fitonin edhe më shumë influencë dhe përfitime.

Edhe njerëz të njohur të estradës, filmit e artit përdorin TikTok për të qëndruar më afër publikut, si dhe për të reklamuar produkte të ndryshme.

Edhe unë, që nga viti 2021, kam profil në TikTok ku postoj video-poezi me karakter satirik, edukues dhe me mesazhe të mira, aty këtu edhe ndonjë reklamë. Nuk kam hyrë asnjëherë “live” dhe nuk kam pasur qëllim përfitimi; madje as nuk di si funksionojnë lojërat që luajnë të tjerët.

Transformimi i TikTok-ut

Në fillim TikTok kishte përmbajtje më të dobishme: video për shkencë, mjekësi, fe dhe fusha të tjera. Por më vonë u shtuan sharjet, ofendimet, videot me përmbajtje vulgare dhe lojërat ku protagonistë të ndryshëm, burra dhe gra, paraqiten pothuajse nudo, me dënime të çuditshme dhe shpesh të tepruara e banale.

Sot duket se për para bëhet gjithçka. Paraja, “e përkëdhelura e djallit”, ka hyrë aq thellë në mendjen dhe palcën e njerëzve saqë ua ka errësuar edhe sytë edhe zemrën. Siç thotë një thënie profetike: “Kur njeriu nuk ka turp, mund të bëjë çfarë të dojë.”

Dhe pikërisht këtë e shohim në shumë prej transmetimeve në TikTok — njerëz që bëjnë çudira para kamerës gjithë natën, duke degraduar veten dhe duke çuar në humbje të vlerave morale.

Shumë çifte kanë ftohur raportet dhe janë ndarë falë rrjeteve sociale, veçanërisht TikTok-ut. Shumë miqësi janë prishur, shumë hatërmbetje janë krijuar për një “like” apo “gifts”. Shumë fqinj ankohen për zhurmën. Pagjumësia shtohet, shëndeti dëmtohet, ndërsa dëshira për punë, vullneti dhe përqendrimi në mësim e studim bie, sepse këto rrjete sociale na mbajnë të lidhur deri në orët e vona të natës duke shfletuar video njëra pas tjetrës dhe duke ndjekur lojëra “live”.

Duke menduar se do të fitojmë pa punë, na shkel rrota e kohës, duke prodhuar gjenerata parazite e dembele.
Nëse kalon shumë kohë në TikTok, ndërkaq ke nervozizëm ose ankth kur nuk e përdor, nëse e neglizhon shkollën, punën, prish orarin e gjumit, atëherë kjo gjendje ka kaluar në sëmundje të varshmërisë. Ashtu si fëmiu që kënaqet dhe s’bën dot pa lojrat elektronike, edhe te njeriu këto video krijojnë “kënaqësi” dhe prishje të shëndetit mendor.

Prandaj, të punojmë, t’i përkushtohemi familjes, mësimit e studimit, ndërsa rrjetet sociale t’i përdorim me përgjegjësi, në mënyrë të kujdesshme e të moderuar. Të merremi me sport e aktivitete fizike, ecje, natyrë, lexim etj. Të marrim vetëm të mirat, e kurrsesi të mos humbasim kohë e energji për gjëra të kota, sepse koha është flori.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT