Punëdhënësit gjermanë kërkojnë masa drastike për të ulur numrin e lartë të mungesave në punë. Propozimi i ri parashikon kufizimin e pagesës vjetore për sëmundje dhe kontrolle më të rrepta mjekësore.
Përshtati: KonaNews 2 Janar 2026
Gjermania po përgatitet për një ndryshim rrënjësor në sistemin e sigurimeve shëndetësore dhe marrëdhënieve të punës. Rainer Dulger, kryetar i Shoqatës së Punëdhënësve Gjermanë (BDA), ka bërë thirrje për një reformë të thellë të mënyrës se si jepen dhe paguhen pushimet mjekësore.
Stop raporteve me telefon
Një nga pikat më të nxehta të këtij propozimi është shfuqizimi i raporteve mjekësore që merren përmes një telefonate me mjekun. Kjo praktikë u introduktua si masë lehtësuese gjatë pandemisë, por punëdhënësit pretendojnë se po abuzohet masivisht. “Raporti mjekësor me telefon duhet të hiqet. Sot ai është shndërruar në një mundësi për abuzim,” tha Dulger, duke insistuar që vizitat të bëhen fizikisht ose përmes video-konsultave të kontrolluara.
Kufizime në pagesa dhe shtesa
Propozimi i ri synon të ndryshojë mënyrën se si punëtorët paguhen kur janë të sëmurë:
-
Limit vjetor prej 6 javësh: Përderisa aktualisht punëdhënësi paguan deri në 6 javë për çdo rast të ri sëmundjeje, tani kërkohet që ky afat të jetë totali maksimal për gjithë vitin.
-
Heqja e shtesave: Gjatë kohës së pushimit mjekësor, punëtorët nuk do të mund të përfitojnë më shtesat për punën e natës, të dielave apo orët jashtë orarit. Sipas punëdhënësve, nëse punëtori nuk është i pranishëm në punë, ai nuk ka ngarkesë shtesë që duhet kompensuar.
-
Kontrolle të shpejta: Kërkohet që shërbimet mjekësore të fondeve shëndetësore të kenë kompetenca për të verifikuar më shpejt dhe më shpesh nëse një punëtor është vërtet i paaftë për punë.
Shifrat që nxitën reformën
Arsyeja e këtij rreptësimi vjen nga raportet ekonomike të vitit 2024. Gjatë atij viti, çdo punëtor në Gjermani mungoi mesatarisht 20.8 ditë, duke u kushtuar punëdhënësve rreth 82 miliardë euro vetëm në pagesa të pagave. Nëse llogaritet edhe rënia e prodhimit, humbja totale për ekonominë gjermane llogaritet në 134 miliardë euro.
“Përvoja ndërkombëtare tregon se sa më bujare të jetë pagesa për sëmundje, aq më të larta janë mungesat, veçanërisht për sëmundjet e lehta,” përfundoi Dulger.
Transmeton: KonaNews


