19 dhjetor 2025 – Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve lidhur me reagimet nga Greqia për përdorimin e emrit të shtetit, duke theksuar se për të emri “Maqedonia” është i shenjtë dhe se ka të drejtë të plotë për liri shprehjeje.
“Në parim nuk jam njeri që pëlqen censurën apo kërcënimet, prandaj për mua emri Maqedonia është emër i shenjtë dhe e drejta ime për liri shprehjeje është të them atë që mendoj”, deklaroi Mickoski gjatë një vizite në fabrikën “Alkaloid”.
Ai njoftoi gjithashtu se Projektligji për përfaqësim të drejtë, i cili ka marrë opinion nga Komisioni i Venecias, pritet të paraqitet shumë shpejt në Parlament.
“Kemi mbledhje të Qeverisë të martën. Ligji ka kaluar në Qeveri para se të dërgohet në Komisionin e Venecias, nëse është e nevojshme do të kalojë përsëri dhe do ta dërgojmë në Kuvend”, shtoi kryeministri.


