Kryetari i Komunës së Dibrës, Fisnik Mela, zhvilloi sot një takim zyrtar me Ambasadorin e Republikës së Kazakistanit në Maqedoninë e Veriut, Shkëlqesinë e Tij, Satybaldy Burshakov.
Gjatë takimit u diskutua për forcimin e marrëdhënieve miqësore dhe avancimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve lokale dhe përfaqësive diplomatike, si dhe për mundësitë e konkretizimit të bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët. Fokus i veçantë iu kushtua zhvillimit ekonomik lokal, shkëmbimeve kulturore dhe promovimit të turizmit.
Kryetari Mela falënderoi Ambasadorin Burshakov për vizitën dhe shprehu gatishmërinë e Komunës së Dibrës për të ndërtuar ura të qëndrueshme bashkëpunimi, si dhe për të promovuar potencialet ekonomike, kulturore dhe turistike të qytetit në nivel ndërkombëtar.
Nga ana e tij, Ambasadori Burshakov vlerësoi mikpritjen dhe shprehu interes për thellimin e bashkëpunimit dhe zhvillimin e shkëmbimeve të ndërsjella në të ardhmen.
Takimi u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe konstruktive, duke konfirmuar përkushtimin e përbashkët për forcimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit ndërinstitucional.


