Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, në hapjen e fushatës zgjedhore në Prizren deklaroi se gjatë vizitës së tij të djeshme në Hagë, ku u takua me Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin, mori një mesazh të qartë nga ata: që të priten të bashkuar.
Hamza theksoi se bashkimi është kusht themelor për një Kosovë funksionale dhe të qëndrueshme.
“Unë në këtë tubim të mrekullueshëm erdha nga Haga, ku dje për disa orë u çmalla me presidentin Thaçi dhe kryetarin Veseli. I njoftova se hapjen e fushatës do ta bënim sot në Prizren dhe ata më kërkuan t’ju përcjell një mesazh të qartë: na prisni të bashkuar. Do të shihemi së shpejti, në fitore dhe në liri”, deklaroi Hamza.
Ai ftoi të pranishmit që nga Prizreni t’i përshëndesin me duartrokitje luftëtarët e lirisë që ndodhen në Hagë, duke shprehur bindjen se rikthimi i tyre pranë familjeve, popullit dhe shtetit që ndërtuan me sakrificë do të ndodhë së shpejti.
“Në Kosovë do t’i presim të bashkuar, sepse një Kosovë që funksionon fillon me bashkimin tonë. Pa bashkim nuk ka zhvillim, pa plan nuk ka shpresë dhe pa drejtësi nuk ka shtet”, përfundoi Hamza.


