Fermerët grekë refuzojnë ftesën e Mitsotakis, paralajmërojnë protesta më të mëdha

Athinë, 13 dhjetor 2025 – Fermerët grekë, të cilët po protestojnë për shkak të vonesave në pagesën e subvencioneve bujqësore dhe rritjes së kostove të prodhimit, kanë refuzuar ftesën e qeverisë për bisedime, duke thelluar bllokimin në negociata, raporton gazeta “Kathimerini”.

 

Sipas përfaqësuesve të fermerëve, të dielën ata do t’ia dorëzojnë kërkesat e tyre kryeministrit Kyriakos Mitsotakis dhe ministrive përkatëse, duke kërkuar përgjigje të qarta përpara çdo takimi të mundshëm. Njëkohësisht, ata kanë paralajmëruar intensifikim të protestave në mbarë vendin.

Më herët, Mitsotakis i kishte ftuar fermerët në një takim në rezidencën e kryeministrit, Maximou.

Prej disa ditësh, mijëra fermerë kanë vendosur bllokada me traktorë dhe kamionë në pjesë të ndryshme të Greqisë, duke shkaktuar ndërprerje të trafikut në disa segmente të autostradave kryesore dhe duke bllokuar herë pas here edhe pikat kufitare. Ata kërkojnë pagesën e mbi 600 milionë eurove ndihmë të vonuar nga Bashkimi Evropian, si dhe mjete të tjera të papaguara.

Kalimi kufitar “Evzoni” (Bogorodicë) është mbyllur për qarkullim nga ora 11:00, ka njoftuar AMSM.

Nga ana e Maqedonisë së Veriut nuk raportohen pritje më të gjata për hyrje dhe dalje nga vendi, ndërsa qytetarët mund të përdorin pikat e tjera kufitare.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT