Diaspora shqiptare dërgon 817 milion euro në vend gjatë 9 muajve të parë të 2025

Shqiptarët që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit vazhdojnë të jenë një mbështetje e rëndësishme ekonomike për atdheun. Të dhënat e Bankës Qendrore të Shqipërisë tregojnë se gjatë periudhës janar–shtator 2025, emigrantët dërguan në total 817 milion euro për familjet e tyre në vend, një rritje prej rreth gjashtë për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

 

Vetëm gjatë tremujorit të tretë, nga korriku deri në shtator, në Shqipëri hynë rreth 285 milion euro, rreth 9% më shumë se i njëjti periudhë vitin e kaluar. Muajt e verës tradicionalisht shënojnë rritje të transfereve, pasi shumë emigrantë kthehen në vendlindje. Paratë dërgohen nëpërmjet bankave, në dorë ose përmes shërbimeve të ndryshme të pagesave.

Ekonomistët nënvizojnë se remitancat nuk janë më thjesht një “ndihmë nga jashtë”, por një nga shtyllat kryesore të ekonomisë shqiptare. Ato kontribuojnë në Prodhimin e Brendshëm Bruto dhe për shumë familje përbëjnë të ardhurën kryesore, ndonjëherë edhe të vetme, duke ndihmuar për përballimin e shpenzimeve bazë dhe ruajtjen e nivelit të konsumit që nxit aktivitetin ekonomik të brendshëm.

Të dhënat tregojnë ndryshime edhe në origjinën gjeografike të remitancave. Italia dhe Greqia mbeten burimet kryesore, por kohët e fundit po rritet pjesa e parave të dërguara nga Gjermania dhe Britania e Madhe, ku numri i emigrantëve shqiptarë ka shtuar ndjeshëm. Ndërkohë, profili i emigrantëve ndryshon gjithashtu: përveç punonjësve sezonalë, ka gjithnjë e më shumë të rinj profesionistë, mjekë dhe persona me arsim të lartë.

Nëse ky trend vazhdon me të njëjtin ritëm, viti mund të përfundojë me remitanca mbi një miliard euro, duke vendosur një rekord të ri për Shqipërinë dhe duke ngritur sfidën strategjike se si këto fonde të shfrytëzohen për investime produktive, jo vetëm për konsumin dhe mbijetesën familjare.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT