20 shtete amerikane e padisin Trumpin për taksën prej 100.000 dollarësh për vizat H-1B

Kalifornia dhe edhe 19 shtete të tjera amerikane kanë nisur një përballje të re gjyqësore me administratën e Donald Trumpit, duke ngritur padi në gjykatën federale në Boston për të bllokuar taksën e re prej 100.000 dollarësh për vizat e punës H-1B, të vendosur me proklamatë presidenciale në shtator.

 

Padia, e udhëhequr nga prokurori i përgjithshëm i Kalifornisë, Rob Bonta, pretendon se Trump ka tejkaluar rëndë kompetencat e tij, pasi ligji federal lejon vetëm mbulimin e kostove reale administrative për përpunimin e vizave, e jo vendosjen e një tarife drastike që, në praktikë, e shndërron programin H-1B në mjet fiskal dhe mekanizëm dekurajues për punëdhënësit.

Masa kontestuese u shpall më 19 shtator 2025 dhe zbatohet për të gjitha kërkesat e reja për H-1B të paraqitura nga 21 shtatori 2025 deri më 21 shtator 2026. Taksa prej 100.000 dollarësh shtohet mbi tarifat ekzistuese, të cilat aktualisht variojnë nga rreth 2.000 deri në 7.500 dollarë për punonjës, varësisht nga madhësia dhe lloji i punëdhënësit.

Programi H-1B u mundëson kompanive amerikane të punësojnë profesionistë të huaj në fusha të specializuara si teknologjia e informacionit, inxhinieria, mjekësia, arsimi dhe kërkimi shkencor. Sektori teknologjik në Kaliforni, por edhe spitalet, universitetet dhe shkollat në mbarë SHBA-në, varen ndjeshëm nga këto viza për të mbuluar mungesat e theksuara të kuadrit. Sipas Bontës, taksa e re do të krijonte barrë të madhe financiare për sektorin publik dhe do të përkeqësonte mungesën e stafit në shërbime thelbësore si shëndetësia dhe arsimi.

Koalicioni i shteteve paditëse – përfshirë Nju Jorkun, Masaçusetsin, Ilinoisin, Nju Xhersin dhe Uashingtonin – argumenton se Shtëpia e Bardhë ka anashkaluar kompetencat e Kongresit për vendosjen e taksave të tilla dhe ka shpërfillur procedurat e detyrueshme për konsultim publik dhe vlerësim të ndikimit, siç kërkohet nga Ligji për Procedurën Administrative. Paralelisht, padi të veçanta kanë paraqitur edhe Dhoma Amerikane e Tregtisë si dhe një koalicion sindikatash dhe punëdhënësish, duke dëshmuar se kundërshtimi ndaj masës është i gjerë dhe shumësektorial.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT