Kryetari i Komunës së Bogovinës, Feti Abazi, konfirmon përfundimin me standarde të larta të rrugës në Kallnik, duke falënderuar kompaninë realizuese dhe banorët për bashkëpunimin.
Në Kallnik u realizua sot mbikëqyrja përfundimtare e projektit të ndërtimit të rrugës së fshatit, në prani të përfaqësuesve nga Ministria e Pushtetit Lokal dhe drejtorit të Qendrës për Zhvillim të Barabartë të Rajonit të Pollogut. Kryetari i Komunës së Bogovinës, Feti Abazi, tha se projekti është përmbyllur me standarde të larta dhe në përputhje me të gjitha pritshmëritë e partnerëve.
Abazi shprehu mirënjohje për kompaninë “Besa-Shop”, e cila realizoi punimet. Ai e cilësoi kompaninë si një shembull pozitiv lokal, që përveç profesionalizmit, ka treguar gjithmonë gatishmëri për të kontribuar për të mirën e përbashkët.
“Duam të falënderojmë edhe shumë kompani të tjera që kanë shprehur gatishmëri bashkëpunimi, me të cilat ne si komunë duhet të mburemi dhe ta forcojmë bashkëpunimin”, u shpreh kryetari.
Ai vlerësoi edhe banorët e Kallnikut për angazhimin e tyre gjatë procesit të punimeve, duke nënvizuar se pjesëmarrja e tyre konkrete ka qenë e rëndësishme për finalizimin e projektit.
“Ta gëzojnë banorët!”, përfundoi Abazi.




