“Lahuta shqiptare përfshihet në trashëgiminë kulturore jomateriale të UNESCO-s në listën për nevojë urgjente mbrojtjeje”

Lahuta shqiptare është përfshirë zyrtarisht në pasurinë botërore të trashëgimisë kulturore jomateriale të UNESCO-s në listën për nevojë urgjente mbrojtjeje. Lajmin e bëri të ditur ministri i Kulturës, Ekonomisë dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, duke e cilësuar këtë instrument si një nga thesaret më të çmuara të identitetit kulturor shqiptar.

 

Arti i të luajturit, të kënduarit dhe bërja e lahutës përfaqësojnë një element thelbësor të identitetit në hapësirën shqiptare rurale, të kultivuar ndër shekuj në krahinat veriore dhe më gjerë, si Malësia e Madhe, Dukagjini, Malësia e Gjakovës, Rugova, Drenica, Plava dhe Gucia. Në duart e lahutarëve, eposi i Kreshnikëve dhe baladat tradicionale kanë shprehur virtytet e trimërisë, qëndresës, nderit, besës dhe mikpritjes.

Ky sukses është rezultat i një procesi të gjatë kërkimor, të udhëhequr nga studiuesit Vaso Tole, Shaban Sinani, Rigers Halili, Armanda Hysa dhe Susane Ogge. Puna e tyre, së bashku me sesionet komunitare dhe kërkimet në terren, finalizoi një dosje të standardeve më të larta të UNESCO-s, e dorëzuar në mars 2024.

Procesi u mbështet nga Ministria e Kulturës në bashkëpunim me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), në kuadër të përgatitjes së dosjeve të trashëgimisë jomateriale shqiptare. Shqipëria mbetet e angazhuar për të ruajtur, promovuar dhe fuqizuar këtë pasuri të rrallë kulturore, duke mbajtur të hapur edhe bashkëpunimin e ardhshëm me Kosovën.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT