Nis ndërtimi i rrugës Siniçan i Epërm – Siniçan: Abazi: “Investojmë që të kthejmë jetën në zonat malore”

BOGOVINË – Komuna e Bogovinës ka nisur sot punimet për ndërtimin e rrugës lokale që lidh Siniçanin e Epërm me fshatin Siniçan. Ky projekt, i konsideruar si jetik për banorët e kësaj zone, synon të përmirësojë infrastrukturën rrugore në zonat e thella malore dhe të lehtësojë lëvizjen e qytetarëve.

 

Kryetari i Komunës, Feti Abazi, gjatë inspektimit të punimeve, theksoi se ky është një premtim i mbajtur dhe një hap drejt zhvillimit të qëndrueshëm rural.

“Sot e nisëm edhe një projekt të rëndësishëm për ndërtimin e rrugës lokale që lidh Siniçanin e Epërm me Siniçanin, një projekt i shumëpritur dhe tejet i rëndësishëm për banorët e kësaj zone. Kjo rrugë do të lehtësojë ndjeshëm qarkullimin, do të përmirësojë kushtet e jetesës dhe do të krijojë mundësi më të mira për zhvillim,” u shpreh Abazi.

Sipas kryetarit, fokusi i komunës mbetet ruajtja e zonave rurale dhe parandalimi i migrimit përmes investimeve konkrete.

“Si një fshat malor, investime të tilla janë kyçe për të parandaluar shprazjen dhe për të nxitur rikthimin e jetës në këtë vend të bukur. Jemi të përkushtuar për të ndërtuar infrastrukturë që u shërben qytetarëve tanë dhe i jep të ardhme zonave tona rurale!” përfundoi kryetari Abazi.

Ky investim pritet të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë lokale, duke u ofruar banorëve qasje më të shpejtë në qendrat urbane dhe duke nxitur potencialin turistik të Siniçanit. Punimet do të vijojnë me intensitet të lartë deri në finalizimin e plotë të këtij aksi rrugor.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT