SHKUP – Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Menduh Thaçi, zhvilloi sot një takim me Ambasadorin e Bashkimit Evropian, Michalis Rokas, ku u diskutua për avancimin e rrugës evropiane të Maqedonisë së Veriut.
Gjatë takimit, Thaçi theksoi se përshpejtimi i integrimit në BE është prioritet strategjik, duke paralajmëruar se vonesat rrezikojnë besimin e qytetarëve te institucionet. Ai nënvizoi rëndësinë e marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore si hap i domosdoshëm për zhbllokimin e procesit të negociatave.
Gjithashtu, u diskutua nevoja urgjente për reforma në sistemin e drejtësisë, sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit. Thaçi rikonfirmoi angazhimin e PDSH-së për të mbështetur politikat që forcojnë shtetin ligjor dhe stabilitetin afatgjatë përmes bashkëpunimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë.


