Shipkovicasit i thonë “PO” projektit madhor: Hapet rruga për trasenë e qarkores që lidh Tetovën me Prizrenin

TETOVË – Në një takim informativ dhe vendimtar të mbajtur në sallën e Komunës së Tetovës, banorët e fshatit Shipkovicë dhe pronarët e tokave ku do të kalojë traseja e rrugës qarkore, kanë dhënë pëlqimin e tyre për fillimin e punimeve të këtij projekti me rëndësi strategjike.

 

Ky projekt, i cili synon jo vetëm lehtësimin e qarkullimit për banorët lokalë, por edhe lidhjen e ardhshme me qytetin historik të Prizrenit, ka hyrë tashmë në një fazë konkrete realizimi.

Detajet e takimit dhe garantimi i të drejtave të pronarëve

Në takim morën pjesë Kryetari i Komunës së Tetovës, z. Bilall Kasami, anëtarë të këshillit komunal, përfaqësues të Bashkësisë Vendore të Shipkovicës dhe inxhinieri Muharem Muharemi. Qëllimi kryesor ishte informimi i drejtpërdrejtë i pronarëve mbi planin e trasesë dhe adresimi i të gjitha shqetësimeve teknike e ligjore.

Gjatë bashkëbisedimit u konfirmuan disa pika kyçe:

  • Kompensimi i pronave: Të gjitha pronat që do të preken nga traseja do të paguhen në baza ligjore, ndërsa çmimi do të përcaktohet pasi të caktohet sipërfaqja e saktë e marrë nga traseja.

  • Shfrytëzimi i drunjtëve: Pronarët kanë të drejtë t’i presin dhe t’i shfrytëzojnë drunjtë në parcelat e tyre për nevojat e tyre personale.

  • Mirëmbajtja e infrastrukturës: Kryetari Kasami garantoi verbalisht se për çdo dëmtim eventual të rrjetit të ujësjellësit gjatë punimeve, Komuna e Tetovës do të marrë përsipër riparimin e tyre.

  • Asistenca informative: Do të organizohet një sportel (shalter) adekuat ku banorët mund të drejtohen për çdo pyetje rreth zhvillimeve gjatë punimeve.

Thirrje për rregullimin e dokumentacionit dhe identitetit shqip

Një pjesë e rëndësishme e takimit iu kushtua procedurave kadastrale. Kryetari u bëri thirrje banorëve që të nisin sa më parë procedurat për bartjen e tokave në emra personalë me LISTË POSEDUESE NGA KADASTRA E TETOVËS.

Në këtë kuadër, u theksua edhe rëndësia e korrigjimit të emrave në dokumente. U kërkua që pronarët t’i regjistrojnë pronat me emrat origjinalë shqip, duke larguar prapashtesat e sllavizuara të mbetura nga e kaluara. Komuna u zotua se do të mundohet të jetë në kontakt me kadastrën për të lehtësuar këto procedura ligjore.


“Ky takim përmbushi nevojat tona informative dhe tregoi unitetin e shipkovicasve për këtë projekt madhor,” u shprehën përfaqësuesit e Bashkësisë Vendore.

Në mbyllje, Këshilli i Bashkësisë Vendore të Shipkovicës, në krye me Nejazi Mjakin, falënderoi të gjithë bashkëfshatarët në atdhe dhe diasporë për mbështetjen e dhënë, duke e cilësuar këtë si një hap historik drejt lidhjes me Prizrenin.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT