Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka reaguar zyrtarisht pas përplasjeve ushtarake në Ngushticën e Hormuzit, duke njoftuar se forcat amerikane kanë asgjësuar mjetet lundruese të marinës iraniane që tentuan të provokonin operacionin “Projekti Liria”.
Përmes një postimi në platformën e tij “Truth Social”, Trump bëri të ditur se bilanci i goditjes amerikane është shkatërrimi i shtatë anijeve iraniane, të njohura si “anije të shpejta”.
Deklarata e ashpër e Trump
“Irani kreu sulme ndaj vendeve që nuk janë të lidhura me anijet në operacionin ‘Projekti Liria’, duke përfshirë edhe një anije mallrash të Koresë së Jugut. Goditëm shtatë anije të vogla iraniane ose, siç pëlqejnë t’i quajnë ata, anije ‘të shpejta’. Kjo është e gjitha që u ka mbetur,” shkroi Trump, duke ironizuar kështu kapacitetet ushtarake të Teheranit.
Thirrje Koresë së Jugut për t’iu bashkuar misionit
Presidenti amerikan vuri në dukje se përveç anijes koreano-jugore, aktualisht nuk ka dëme në anijet e tjera që kalojnë nëpër teunë nën mbrojtjen e SHBA-së. Megjithatë, ai shfrytëzoi rastin për të kërkuar angazhim më të madh nga aleatët.
“Ndoshta është koha që Koreja e Jugut t’i bashkohet misionit,” shtoi ai, duke iu referuar mbrojtjes së korridorit ndërkombëtar të lundrimit.
Pentagoni del nesër me detaje teknike
Sipas njoftimit të Presidentit, situata pritet të detajohet nesër në mëngjes gjatë një konference për media që do të mbahet nga Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Dan Cain.
Ky shkëmbim zjarri shënon një nga pikat më të nxehta të tensionit në rajon, ndërsa SHBA-ja vazhdon zbatimin e planit për sigurimin e lëvizjes së lirë në Ngushticën e Hormuzit, pavarësisht kundërshtimit të ashpër nga ana e Iranit.
KohaNews.com


