DOLNENI – Kryetari i Komunës së Dolnenit, Blerim Islami, ka inspektuar sot nga afër përfundimin e punimeve në rrugën kryesore të fshatit Zhitoshe, një projekt ky i shumëpritur për banorët e kësaj zone.
Pas një faze intensive punimesh, rruga tashmë është asfaltuar plotësisht dhe është lëshuar zyrtarisht në përdorim. Ky investim pritet të ndikojë ndjeshëm në përmirësimin e qarkullimit rrugor dhe në rritjen e sigurisë për këmbësorët dhe drejtuesit e mjeteve.
Gjatë vizitës në terren, Islami theksoi se ky projekt është pjesë e planit të tij për modernizimin e infrastrukturës rurale dhe rritjen e cilësisë së jetës për të gjithë qytetarët e komunës që ai udhëheq.
“Me asfaltimin e ri, kjo rrugë tashmë është lëshuar në përdorim, duke përmirësuar ndjeshëm kushtet e qarkullimit dhe sigurinë për banorët. Si Kryetar i Komunës, mbetem i përkushtuar për realizimin e projekteve që rrisin cilësinë e jetës për të gjithë qytetarët,” u shpreh Islami.
Kreu i komunës po ashtu falënderoi banorët e Zhitoshës për durimin e treguar gjatë periudhës së punimeve, duke nënvizuar se investimet në infrastrukturë do të vazhdojnë edhe në vendbanimet e tjera.
Zhitosha, si një nga fshatrat më të mëdha të kësaj zone, përfiton kështu një arterie kryesore moderne, e cila lehtëson lidhjen me qendrat e tjera urbane dhe rurale.
KohaNews


