SHKUP, 31 Mars 2026 – Drejtoria e të Hyrave Publike (DAP) ka nisur dërgimin e njoftimeve drejt studentëve që kanë qenë pjesë e programit “Work and Travel” në Gjermani, duke kërkuar prej tyre deklarimin dhe tatimin e të ardhurave të fituara jashtë vendit. Ky zhvillim ka shkaktuar paqartësi dhe reagime të shumta në radhët e studentëve, raporton “Studentaria” dhe televizioni “Telma”.
Molla e sherrit: Kthimi i tatimit nga Gjermania
Sipas informacioneve të fundit, fokusi i DAP-it është mbi shumat e kthimit të tatimit (Tax Refund) që studentët kanë përfituar nga shteti gjerman. Problemi lind kur këto mjete transferohen në llogaritë bankare në Maqedoninë e Veriut.
-
Pretendimi i DAP: Institucioni e trajton kthimin e tatimit si “të ardhur të re” dhe kërkon pagesën e një tatimi shtesë prej rreth 10%.
-
Reagimi i studentëve: Studentët argumentojnë se këto para janë pjesë e pagës së tyre që tashmë është tatimuar një herë në Gjermani dhe nuk duhet të ttohen sërish, duke iu referuar marrëveshjes për shmangien e tatimit të dyfishtë.
Pikat kryesore të njoftimit:
-
Afati i fundit: Sot, më 31 mars, është afati i fundit për dorëzimin e deklaratës elektronike tatimore (E-PDD).
-
Kush preket: Kryesisht studentët që i kanë pranuar mjetet e kthimit të tatimit gjerman në llogari valutore brenda Maqedonisë së Veriut.
-
Mënyra e njoftimit: Studentët kanë pranuar ftesat si në formë fizike (postë), ashtu edhe përmes kanaleve elektronike.
Paqartësi dhe interpretime kontradiktore
Organizata “Studentaria” ka bërë të ditur se ka një mungesë të theksuar koordinimi mes zyrave të ndryshme të DAP-it (UJP), ku zyrtarët japin interpretime të ndryshme mbi bazën ligjore të këtij tatimi. Edhe pse ekziston një marrëveshje ndërshtetërore me Gjermaninë për të parandaluar tatimin e dyfishtë, mënyra se si DAP po e klasifikon “kthimin e tatimit” ka krijuar një ngërç ligjor.
Deri më tani, studentët kanë kërkuar sqarime zyrtare nga institucionet kompetente, ndërsa pakënaqësia është rritur për shkak të kohës së shkurtër në dispozicion dhe mungesës së udhëzimeve paraprake të qarta.


