Pas vendimit të sotëm të Gjykatës Kushtetuese lidhur me zgjedhjen e presidentit, dy partitë kryesore opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK), kanë shprehur qëndrimet e tyre të para, duke theksuar respektimin e institucionit më të lartë juridik në vend.
Haziri (LDK): “Përgjegjësia i takon partisë në pushtet” Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, deklaroi në emisionin “Politiko” se LDK-ja do të sillet me përgjegjësi të lartë, por paralajmëroi se ky moment nuk duhet të përdoret si alibi për të çuar vendin në zgjedhje të reja pa një angazhim të sinqertë për marrëveshje. “Duhet të ketë angazhim të sinqertë për marrëveshje politike ose përgjegjësia duhet të merret nga partia në pushtet,” theksoi Haziri, duke bërë thirrje për zbatimin e parimeve të dakorduara më parë mes liderëve.
PDK mbledh organet drejtuese Nga ana tjetër, Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, konfirmoi se partia e saj e respekton vendimin si një institucion kyç i rendit demokratik. PDK-ja ka reaguar menjëherë duke thirrur një mbledhje urgjente të përbashkët të Kryesisë dhe Grupit Parlamentar për ditën e nesërme në orën 14:00. Në këtë takim pritet të diskutohet për zhvillimet e reja dhe hapat e mëtejshëm që do të ndërmarrë kjo parti në Kuvend.
Situata politike në udhëkryq Aktgjykimi i Kushtetueses e ka kthyer procesin në pikën zero, duke krijuar një afat prej 34 ditësh për zgjidhjen e krizës. Sytë tashmë janë te partia në pushtet dhe gatishmëria e saj për të ofruar një zgjidhje që shmang shpërbërjen e Kuvendit.


