Me rastin e festës së Sulltan Nevruzit, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, vizitoi Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në Tiranë. Gjatë takimit me Kryegjyshin Botëror, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, kreu i shtetit përcolli urimet më të ngrohta për komunitetin bektashi dhe gjithë shqiptarët, duke e cilësuar këtë ditë si një simbol të lindjes së pranverës dhe triumfit të dritës mbi errësirën.
Presidenti Begaj theksoi se vlerat që mbart kjo festë, e cila përkon edhe me ditëlindjen e Imam Aliut, duhet të shërbejnë si udhërrëfyes në jetën e përditshme. Ai bëri thirrje për më shumë solidaritet, dashuri dhe dhembshuri mes njerëzve, duke uruar që mesazhi i paqes dhe shpresa për një të ardhme më të mirë të mbretërojë në çdo familje shqiptare gjatë gjithë vitit.


