Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, përmes një letre zyrtare drejtuar kryeministrit Albin Kurti, ka përshëndetur nisjen e mandatit të tij të ri qeverisës. Ndërsa ka rikonfirmuar përkushtimin e Parisit për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE, kreu i shtetit francez ka vënë theksin te domosdoshmëria e jetësimit të dakordimeve të arritura në Bruksel dhe Ohër. Sipas Macronit, normalizimi i raporteve me Serbinë mbetet një kusht esencial, duke u bërë thirrje të dyja palëve që të përmbushin pa vonesa angazhimet e marra nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Letra e plotë e Presidentit Macron:
Paris, 23 shkurt 2026
I nderuar zoti kryeministër,
Ju drejtoj urimet e mia më të përzemërta për rizgjedhjen tuaj në postin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës.
Ju e njihni përkushtimin tim ndaj objektivit të ribashkimit të kontinentit tonë: Franca është e bindur se vendi i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor është brenda Bashkimit Europian dhe ne vazhdojmë ta mbështesim Kosovën në rrugën e saj evropiane. Franca do të vazhdojë gjithashtu t’i mbështesë pa u lodhur përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilat përbëjnë një dimension thelbësor të këtij procesi afrimi me Bashkimin Evropian. Marrëveshjet e Brukselit-Ohrit kanë përcaktuar drejtimin dhe u takon të dyja palëve t’i zbatojnë angazhimet e marra, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
Po ashtu dëshiroj që Franca dhe Kosova të vazhdojnë të thellojnë lidhjet e tyre dhe bashkëpunimin dypalësh, rreth projekteve strukturuese si, për shembull, përgatitja për Lojërat Mesdhetare që vendi juaj do t’i presë në vitin 2030.
Ju lutem pranoni, zoti kryeministër, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.
Emmanuel Macron


