Bilall Kasami dhe Muamet Hoxha koordinojnë projektet strategjike për Tetovën: Nga ujësjellësi i Kodrës së Diellit te trajtimi i mbetjeve

TETOVË – Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka zhvilluar një takim pune me Ministrin e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha. Ky takim u fokusua në koordinimin e investimeve kapitale dhe projekteve strategjike që synojnë transformimin e infrastrukturës mjedisore dhe përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarët tetovarë.

 

Gjatë bashkëbisedimit, vëmendje e veçantë iu kushtua projekteve që ndodhen në faza aktive të realizimit, ku spikat rindërtimi i tubacionit kryesor nga Kodra e Diellit drejt qytetit, një projekt jetik për furnizimin me ujë. Po ashtu, u diskutua për zgjerimin e rrjetit primar në lagjen “Jashtë Vardarit” dhe ndërtimin e kolektorëve të kanalizimit atmosferik në Falisht dhe Dardani.

Një pjesë e rëndësishme e agjendës u zunë projektet e financuara nga institucionet financiare ndërkombëtare, si Banka Evropiane e Investimeve (BEI) dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Këto investime përfshijnë fazën e dytë të rindërtimit të ujësjellësit dhe ndërtimin e Stacionit të Transferimit të mbetjeve në Tetovë, një hap kyç drejt menaxhimit modern të mbeturinave.

Kasami dhe Hoxha diskutuan edhe për ecurinë e instrumenteve IPA, ku pritet së shpejti nënshkrimi i kontratave për projektin madhor të stacionit për trajtimin e ujërave të zeza dhe zgjerimin e rrjetit të kanalizimit.

Takimi u mbyll me zotimin për një bashkëpunim të ngushtë institucional, duke garantuar transparencë të plotë dhe efikasitet në realizimin e këtyre premtimeve, me qëllim krijimin e një mjedisi më të pastër dhe kushteve dinjitoze për banorët e Tetovës.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT