SHKUP – Ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, ka dhënë një përgjigje të prerë gjatë seancës për pyetje parlamentare në Kuvend, duke iu kundërvënë deputetes së BDI-së, Dijana Toska, lidhur me kërkesën e studentëve shqiptarë për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe. Filkov deklaroi se Kushtetuta dhe ligjet duhet të jenë të barabarta për të gjithë dhe se korniza aktuale ligjore nuk lejon devijime.
Gjatë fjalës së tij, ministri sqaroi se provimi i jurisprudencës klasifikohet si një provim profesional dhe jo si një procedurë administrative, fakt ky që sipas tij dikton përdorimin e gjuhës maqedonase si gjuhë të vetme për këtë proces. Ai rikujtoi se Komisioni i Venecias ka dhënë opinion negativ për Ligjin e Përdorimit të Gjuhëve, ndërsa vuri në dukje se në Gjykatën Kushtetuese aktualisht janë dorëzuar 13 iniciativa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së këtij ligji.
Filkov hodhi akuza të forta ndaj ish-pushtetit, duke pyetur publikisht se ku ishin dhe çfarë bënë tetë ministrat e drejtësisë nga radhët e BDI-së gjatë dy dekadave të fundit. Sipas tij, opozita e sotme i borxhon përgjigje opinionit për dështimet e tyre të kaluara, duke shtuar se “histeria” politike e kohëve të fundit lidhet me proceset llogaridhënëse që pritet të vijojnë.
Për të dëshmuar korrektësinë e tij administrative, Filkov prezantoi nga foltorja një certifikatë dygjuhëshe të nënshkruar prej tij, duke sqaruar se Ministria e Drejtësisë lëshon dokumente të tilla për çdo qytetar që e kërkon. Megjithatë, ai ishte i prerë se nuk do të lejojë shkeljen e procedurave ligjore për provimet profesionale.
“Koha e nacional-romantizmit ka përfunduar, sot do të punohet sipas Kushtetutës dhe ligjit. Dhe një gjë tjetër shumë e rëndësishme: Me padi penale nuk trembni absolutisht askënd!”, përfundoi ministri Filkov.


