Ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski, në emisionin Click Plus në TV21, ka dhënë sqarime lidhur me funksionimin e sistemit “Safe City” dhe mënyrën se si trajtohen shkeljet në komunikacion. Një nga pyetjet ishte se çfarë ndodh kur një automjet hyn në kryqëzim me dritë jeshile, por për shkak të trafikut të dendur mbetet i bllokuar në mes.
Toshkovski theksoi se në raste të tilla nuk do të konsiderohet si kalim në semafor të kuq, por si pengim i qarkullimit. “Kjo kundërvajtje ka trajtim të veçantë dhe gjoba e parashikuar është rreth 45 euro. Shoferi duhet të vlerësojë situatën dhe të ndalet nëse sheh se do të bllokojë kryqëzimin,” tha ai.
Ai shtoi se gjatë periudhës testuese ka pasur raste kur kamerat i kanë regjistruar këto situata si kalim në të kuqe, por sistemi është korrigjuar dhe tashmë shkelja do të kategorizohet si “bllokim i kryqëzimit”.


