Përmes një postimi në faqen zyrtare të “FARK” (Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës) në rrjetet sociale, janë kujtuar detaje nga vrasja tronditëse e gazetarit të “Bota Sot”, Bekim Kastrati, dhe ish-pjesëtarit të sigurimit të Presidentit Rugova, Besim Dajaku, transmeton KohaNews.
“Zëri që nuk u ndal kurrë”
Në këtë përvjetor, Bekim Kastrati është cilësuar si gazetari që pagoi me çmimin më të lartë – jetën e tij – guximin për të thënë të vërtetën në një kohë të vështirë për Kosovën. Kastrati mbetet një simbol i gazetarisë që nuk u thye përballë kërcënimeve, duke i shërbyer me besnikëri informimit të drejtë.
Pritia fatale dhe borxhi ndaj drejtësisë
Lajmi rikujton se Bekimi u vra në një pritë mizore së bashku me Besim Dajakun, i njohur si “luftëtari i bardhë” dhe një nga mburojat më besnike të Presidentit historik, Ibrahim Rugova. Dy burrat, që i shërbyen lirisë dhe institucioneve, ranë viktimë e një krimi që edhe pas më shumë se dy dekadash mbetet pa autorë të dënuar.
“U vranë, por fjala dhe besimi i tyre nuk u shuan kurrë. Në çdo përvjetor ndiejmë të njëjtën plagë, por edhe të njëjtin borxh për t’i kujtuar me nder dhe për ta kërkuar drejtësinë që ende mungon,” thuhet në postimin e shpërndarë, transmeton KohaNews.
Lavdi dhe kujtim
Mesazhi mbyllet me një thirrje për lavdi ndaj Bekimit dhe Besimit, të cilët mbeten dëshmi e gjallë e një guximi pa kthim në historinë më të re të Kosovës. Kërkesa për zbardhjen e kësaj vrasjeje mbetet një nga temat më të ndjeshme dhe një thirrje e vazhdueshme e familjarëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre.
/ KOHANEWS


