Në vitin 1876, Alexander Graham Bell kreu thirrjen e parë telefonike, duke hapur një epokë të re ku zëri shkurtonte distancat në kohë reale. Sot, pas 150 vitesh, telefoni është kudo, por përdorimi i tij për biseda po pëson një rënie drastike. Sondazhet tregojnë se mesazhet tekst janë kthyer në mjetin kryesor të komunikimit, veçanërisht për brezat e rinj si “Gjenerata Z”, të cilët shpesh i shohin thirrjet e papritura si një ndërhyrje të pasjellshme në hapësirën e tyre private. Ky ndryshim kulturor ka krijuar atë që quhet “telefobia”, ku njerëzit preferojnë mesazhet pasi ato u japin mundësinë të kontrollojnë kohën, të redaktojnë fjalët dhe të shmangin presionin e një bisede të drejtpërdrejtë.
Megjithatë, kërkimet psikologjike sugjerojnë se frika nga telefonatat është kryesisht një barrierë mendore, pasi në realitet, bisedat me zë rezultojnë më pak të sikletshme nga sa imagjinohen. Ekspertët theksojnë se zëri njerëzor mbetet një element i pazëvendësueshëm për krijimin e lidhjeve të forta emocionale. Ndryshe nga shkrimi, ku mungon intonacioni dhe ngrohtësia njerëzore, telefoni ofron një pikë ekuilibri mes intimitetit dhe distancës së sigurt. Ai mundëson një lidhje më autentike që “video-thirrjet” apo mesazhet e ftohta elektronike nuk arrijnë ta zëvendësojnë dot plotësisht.
Pavarësisht rritjes së komunikimit me tekst, telefoni mbetet i pazëvendësueshëm për ngjarje madhore të jetës, si lindjet, fejesat apo ndjesat e vështira. Edhe të rinjtë që preferojnë mesazhet, e konsiderojnë fyese nëse nuk njoftohen me zë për momente të rëndësishme emocionale. Kjo dëshmon se, ndonëse mjetet e komunikimit janë shumëfishuar, nevoja për t’u lidhur përmes zërit mbetet një kërkesë themelore njerëzore që teknologjia e shkrimit nuk mund ta përmbushë plotësisht.


