HAGË – Gjatë paraqitjes së fjalës përfundimtare në procesin gjyqësor ndaj katërshes së UÇK-së, mbrojtësi i viktimave, Simon Laws, ka kërkuar që zëri i viktimave të zërë vend qendror në vendimin e ardhshëm të trupit gjykues.
Laws argumentoi se kjo aktakuzë nuk duhet të trajtohet si një përshkrim i thjeshtë ligjor i akteve kriminale, por si një dëshmi për dëme të mëdha njerëzore. Sipas tij, bëhet fjalë për ngjarje që kanë ndryshuar rrënjësisht jetët e individëve dhe familjeve të tyre.
“Ajo që presim që të ndodhë është që viktimat të kenë zërin e tyre dhe që ky zë të jetë dëgjuar. Duke pranuar që ka ndodhur ky dëm, trupi gjykues është në gjendje të thotë se vuajtja e viktimave nuk është anashkaluar,” deklaroi Laws.
Mbrojtësi i viktimave vuri në dukje pyetjet e vazhdueshme të të dëmtuarve se “pse u ndaluan dhe u keqtrajtuan”, duke kulmuar me pyetjen e ndjeshme për fatin e atyre që nuk u gjetën kurrë.
“Pse duhej të përfundonin në varre të pashënuara?” – u shpreh ai, duke kërkuar që pesha e këtyre krimeve të njihet zyrtarisht në përfundim të këtij procesi gjyqësor.


