Komandanti i FSK-së dekoron heronjtë e operacionit humanitar në Shqipëri

PRISHTINË – Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur sot në një takim zyrtar pjesëtarët e njësisë së Kërkim-Shpëtimit të Gardës Kombëtare, të cilët u kthyen nga një mision sfidues në Republikën e Shqipërisë.

 

Gjatë takimit, Gjeneral Jashari shprehu mirënjohjen e tij të thellë për profesionalizmin dhe guximin e treguar gjatë operacionit humanitar në Klos. Pjesëtarët e FSK-së operuan në kushte ekstreme të ftohti dimëror, duke arritur të përmbushin misionin e tyre me sukses të plotë.

Në shenjë vlerësimi për sakrificën e treguar, Gjenerallejtënant Jashari dekoroi pjesëtarët e angazhuar me medaljen “Shërbim Vetëmohues”, ndërsa njësisë së Kërkim-Shpëtimit i dorëzoi një mirënjohje të veçantë për kontributin e tyre.

Në njoftimin zyrtar të FSK-së theksohet se ky operacion rikonfirmon kapacitetet e larta profesionale të forcës dhe përkushtimin e Kosovës për bashkëpunim rajonal dhe ndihmë reciproke në raste krizash, duke dëshmuar gatishmërinë për të shërbyer me profesionalizëm brenda dhe jashtë kufijve të vendit.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT